Shkolla 9-vjeçare nr. 2 në qytetin e Rrëshenit, herë pa here bëhet protagoniste e aktiviteteve që kanë si objektiv që shkollën ta kthejnë si qendër komunitare. Kjo bën që shkolla të mos jetë vetëm një objekt  i mbyllur për shkollimin dhe edukimin e fëmijëve, por si një mjedis i hapur ku komuniteti të ketë sa më shumë akses në mbarvajtjen e procesit, që shkolla ka si mision parësor.

   Pikërisht sot për nxënësit, mësuesit dhe komunitetin e Rrëshenit ka qenë një ditë disi e veçantë. Edhe pse një ditë  zakonshme pushimi siç është e shtuna, ambientet e shkollës kanë qenë të tejmbushura që në orët e para të ditës. Prindër të shumtë, por edhe aktorë të tjerë të komunitetit i janë përgjigjur thirrjes së drejtoreshës znj. Leonora Kaçorri, që në kuadër të nismës “Shkolla Qendër Komunitare” të organizohet një ditë ndryshe e cila kishte si qëllim, nivelimin e diferencave mes kategorive sociale për nxënësit e kësaj shkolle. Siç dihet jo të gjithë nxënësit janë në një situatë të përafërt sociale, prandaj shkolla ka si qëllim të nxisë aktivitete të tilla, që ata të ndjehen sa më të barabartë mes tyre.

   Risi në aktivitetin e rradhës ka qënë fakti se të gjithë prindërit, por edhe të tjerë kanë ofruar ndihmesën e tyre që e shtuna të kthehej në një ditë festive, me aktivitete të larmishme. Kanë qenë të shumtë ata prindër që gatimet e tyre më cilësore ti çojnë në shkollë ku të gjithë fëmijët pa dallim, përfshirë edhe ata të komunitetit rom, ti shijonin në një banket të improvizuar. Dreka masive për të gjithë nëxënësit është fokusuar të ushqimet tradicionale edhe për faktin që nxënësit duhet ti njohin ato, për cilësine dhe vlerat ushqimore. Gjithashtu janë bërë recitime të shumta nga fëmijet, por edhe këngë dhe valle realizuar sipas një skenari të thjeshtë, realizuar me mbështetjen e mësuesve Vitore Brozi, Meralda Bardhoku, Liza Përgjoni, Kozeta Topollaj etj.

   Në fund të aktivitetit mësues, prindër dhe nxënës janë shprehur mjaft vlerësues për aktivitetin e sotëm, ndërsa drejtoresha Leonora Kaçorri ka falenderuar komunitetin e prindëve për bashkëpunimin e tyre të përhershëm me shkollën.