Nëntori, për të dytin vit radhazi, erdhi me një nismë të bukur në shkallë kombëtare, “Takohemi për një libër”, inicuar nga ministria e Kulturës dhe mbështetur nga ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë etj., me përfshirjen e shkollave etj.
Nisma gjeti jehonë dhe në shkollën 9-vjeçare Numër 2 Rrëshen me rreth 400 nxënës, ku prindërit grumbulluan një sasi të konsiderueshme parash për pasurimin e bibliotekës së shkollës me libra të rinj të moshës shkollore. Iu bashkua kësaj nisme dhe Bashkia “Mirditë” me një sasi parash të dhëna nga ana e saj. Kësisoj 75 tituj librash të rinj, në 200 kopje iu shtuan bibliotekës së shkollës me këtë rast, ku nuk munguan dhe dhurimet e librave me dedikim nga mësuesit për nxënësit etj.
Po kaq e rëndësishme ishte nisma e vetë nxënësve për blerjen dhe leximin gjatë muajit nëntor të një libri të ri, ku bilanci arriti në mbi 250 libra të rinj më shumë në bibliotekat e vetjake të nxënësve.
Organizimi i punës në tre faza nga Drejtoria e Shkollës i shërbeu harmonizimit të veprimtarisë së të gjithë aktorëve, ku mësuesit e gjuhës shqipe, ata të ciklit të ulët dhe mësuesit kujdestarë e morën seriozisht këtë nismë me vlerë dhe bënë më të mirën për finalizimin e saj, siç u vu re dhe në veprimtarinë përmbyllëse të datës 5 dhjetor 2017, organizuar në mjediset e shkollës.
E veçanta ishte se prindërit krijuan dhe një komision nga ana e tyre për ta administruar kontributin financiar, duke bashkëpunuar gjatë gjithë muajit me mësuesit e gjuhës shqipe, koordinatorin e caktuar për mbarëvajtjen e kësaj nisme dhe vetë drejtorinë e shkollë.
E gjitha kjo merr një kuptim të veçantë në këtë shkollë, prej dy vitesh shkollë-qendër komunitare.
Drejtoresha e Shkollës, Leonora Kaçorri, në fund të veprimtarisë, theksoi se asgjë lidhur me këtë nismë nuk përmbyllet brenda një muaji! Puna e përditshme shkollore me librin vetëm sa ka marrë një shtysë të re. Ky është mesazhi i të gjithëve.





