Mbyllja e vitit 2014 me jep mundësinë t’ju drejtohem e t’ju përshëndes ju mësuesve dhe të gjithë atyre që merren me shkollën pra aktorëve të përditshëm, nxënësve dhe familjeve  të tyre në Rrethin e Mirditës.

Përshendetja ime nuk është thjesht një detyrim, që unë si drejtues t’ju shpreh në këtë rast fundviti të gjithë protagonistëve  që here pas herë risjellin pritshmëri  pozitive dhe të reja, por edhe një urim i sinçertë e thellësisht i ndjerë  që lind nga koshienca e plotë e sakrificave personale dhe impenjimit maksimal që çdo vit u kërkohet mësuesve , nxënësve dhe familjeve të tyre.

2014 ishte viti i 70-vjetorit të Çlirimit te Atdheut , ndaj gjej rastin t’ju falenderoj gjithë ju stafet e shkollave që sipas një plani veprimtarish arritët të festoni  bashkë me komunitetin këtë përvjetor të shënuar. Angazhimi juaj ishte maksimal edhe në aktivitetet e tjera si Sportakiadën në shkallë rrethi, konkurse të ndryshme, shfaqje artistike, ditën e ambientit ’’Të pastrojmë Shqipërinë’’, ditën e Luftës kundër SIDA-s, ditën e të drejtave të Njeriut, Olimpiadat në rang shkollash,nismës’’ Të festojmë së bashku’’, festimet e fundvitit etj.

Përgëzoj nxënësit cilësorë që na bëjnë krenarë të gjithë ne mësuesve  e familjeve të tyre, ndaj dhe uroj të vazhdojnë në rrugën e tyre plot sukses si një shembull pozitiv për bashkëmoshatarët e tyre.

Mbyllim një vit reformash të nisura ,që do të vijohen  për  një përmirësim cilësor e si një nevojë integrimi me shkollën europiane bazuar në meritat dhe kompetencat profesionale.

Matura Shtetërore ishte një nga arritjet e 2014 ku nëpërmjet një procesi korrekt u evidentuan shkollat dhe mësuesit që i përkushtohen arsimimit të nxënësve.

Ndaj bazuar në këto parametra tashmë të kristalizuar në sistemin arsimor ,bashkë me ju mësues, nxënës , prindër e komunitet, do bëjmë të mundur që shkolla të rrezatojë kulturë, dije dhe njëkohësisht  të jetë një qendër e denjë komunitare.Le të jetë Viti i Ri 2015 një vit pune intensive  për të përmbushur me sukses reformat e nisura.

Fundi i vitit është një moment kur gjithkush bëhet më i ndjeshëm, më i hapur, më i afërt, mëgëzuar, me familjen e shoqërinë, ndaj siç e do trokitja

2015-ës  në portat tona ju uroj:

 

   Gëzuar Vitin e Ri 2015, qoftë një vit

             i mbarë për ju dhe familjet tuaja!

 

 

            G Ë Z U A R !

 

                                                                                           

    Miqësisht

                       Gëzim KAÇORRI