Ministria e Arsimit ka publikuar rregulloren e Maturës Shetëtore, dokument ky që sqaron të gjithë procesin e zhvillimit të provimeve si për maturantët ashtu edhe për administratorët. Sipas rregullores ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, maturantët duhet të sigurojnë 20 % të pikëve të çdo provimi në mënyrë që të rezultojnë fitues.
Formulari
Maturantët të cilët do të kandidojnë për një të drejtë studimi në universitetet e vendit duhet të plotësojnë Formularin A1 i cili do të jetë gati në datën 24 shkurt. Ndërkohë që afati përfundimtar për plotësimin e tij do të jetë data 31 mars. Edhe këtë vit formulari do të plotësohet online, në shkollat ku maturantët kanë kryer studimet sipas udhëzuesve të cilët do të bëhen publikë njëherësh me formularët.
“Maturanti/kandidati bën aplikimin online fillimisht në Portalin Qeveritar e- albania në periudhën 1-15 mars 2015 dhe më pas në Portalin Matura Shtetërore 2015 në periudhën 10- 31 mars, sipas një plani kalendar të publikuar nga AKP” thuhet në rregulloren e firmosur një ditë më parë nga ministrja Nikolla. Ndërkohë që 30 prilli do të jetë edhe afati i fundit për bërjen e korrigjimeve në shkolla për plotësimin e këtij formulari.
Masat e sigurisë
Sa i përket zhvillimit të provimeve rregullorja përcakton një sërë procedurash, ku ndër më kryesoret është edhe vendosja e bllokuesve të valëve të telefonisë celularë në mënyrë që maturantët të mos kenë mundësi kopjimi. “Mjediset ku do të zhvillohen provimet e maturës duhet të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara. Të kenë të instaluara në vende të sigurta bllokuesit e valëve të telefonisë celulare, për të siguruar bllokimin e plote të tyre.
Kjo procedurë i ngarkohet si përgjegjësi, drejtorit të shkollës ku do të zhvillohet provimi” thuhet në rregullore. Por për administruesit e provimeve janë një sërë detyrash, pasi ata duhet të përcaktojnë ambiente të cilët duhet të jenë të mjaftueshme për 50 maturantë.Në kriteret e tjera parashikohet që largësia ndërmjet çdo maturanti nuk duhet të jetë më pak se 1.2 metra në të katër drejtimet, ndërkohë që në qendrat e provimeve nuk duhet të ketë veprimtari të tjera. Maturantët ditën e provimit duhet të plotësojnë një sërë rregullash ose në të kundërt përjashtohet nga provimi. Rastet e përjashtimit janë kur kopjon, bën komente në lidhje me zgjidhjen e testit, mban telefon ose çdo mjet tjetër komunikimi apo edhe në rastet kur ai nuk pranon të kontrollohet nga administratorët e provimeve.
Administratorët
Edhe administratorët në rast se shkelin këtë rregullore ku përcaktohen detyrat e tyre parashikohen penalitete, nga vërejtjet në punë e deri nga largimet nga detyra. Kështu në rastet kur administratorët nuk kryejnë detyrat e përcaktuara në provim për shpërndarjen e tezave, apo lejojnë persona të tjerë të paautorizuar në ambientet e shkollës, marrin masën ‘vërejtje në detyrë. Ndërkohë në rastet kur administratori nuk lejon prezencën e drejtuesve të Drejtorisë Arsimore apo kur nuk kryen identifikimin e maturanteve merr masën “pushim nga puna”.
Çfarë parashikon rregullorja për maturantët
Maturanti duhet që në çdo provim të sigurojë të paktën 20 për qind të pikëve që të kualifikohet si kalues.
MAS do të bëjë publike Formularin A1 si dhe udhëzimin për plotësimin e tij brenda datës 24-25 shkurt
Afati përfundimtar për plotësimin e A1 do të jetë data 31 mars. Edhe këtë vit formulari do të plotësohet online.
Maturanti përjashtohet nga provimi kur ndryshon vendin që i është caktuar, kopjon, bën komente për përmbajtjen e testit, mban telefon ose mjete te tjera të komunikimit.
Po kështu përjashtime ka edhe kur maturanti refuzon kontrollin nga administratorët në momentin e hyrjes në provim, përdor lapsa apo më shumë se një ngjyrë në provimin e testit, kur dëmton testin apo barkodin.
Kriteret për qendrat ku do të zhvillohet provimi
Mjediset kudo te zhvillohen provimet duhet të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara,
Të kenë të instaluara në vende të sigurta bllokuesit e valëve të telefonisë celulare, për të siguruar bllokimin e plotë të tyre.
Të jenë të mjaftueshme për të paktën 50 maturantë, përveç rasteve të veçanta
Largësia ndërmjet çdo maturanti/kandidati të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet;
Maturantët/kandidatët të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim;
Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40x60 cm;
Në ditën e provimit, në qendrat ku zhvillohet provimi, nuk parashikohen veprimtari të tjera,
Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim,
Çdo qendër që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë komunikim me rrugët automobilistike.

